1a. Gazetaria dhe standardet etike në media

Etika është një numër parimesh morale që rregullojnë sjelljen e një personi ose kryerjen e një aktiviteti. Si çdo aktivitet njerëzor edhe gazetaria mbështetet mbi një seri standardesh etike dhe morale, të cilat janë të aplikueshme për gazetarët dhe mënyrën se si ato e bëjnë punën e tyre. Shpesh herë principet morale ose etike në gazetari përmblidhen ne kode etike të shkruara, siç është Kodi i Etikës së Gazetarit. Gjithashtu, përveç Kodit të Etikës, disa media preferojnë t’i përmbledhin principet etike që udhëheqin punën e tyre në një dokument mbi vlerat editoriale ose standardet editoriale.   

Media në Shqipëri rregullohet ose nëpërmjet legjislacionit për mediat ose nëpërmjet vetrregullimit, i cili bazohet në Kodin e Etikës ose standardet editoriale të brendshme. Kur vetrregullimi ndodh brenda mediave, bazuar në standardet editoriale, nëpërmjet redaktorëve ose avokatit të lexuesve (ombudsman), konsiderohet vetrregullim i brendshëm. Kur vetrregullimi ndodh jashtë mediave, nëpërmjet këshillave të etikës me përfaqësues nga media të ndryshme, ai konsiderohet si vetrregullim i jashtëm. 

Legjislacioni shqiptar garanton lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias. Kreu i dytë i Kushtetutës, i cili përcakton liritë dhe të drejtat vetjake, në nenin nr. 22 përcakton se, liria e shprehjes, shtypit, radios dhe televizionit është e garantuar. Gjithashtu, ky nen përcakton se ndalohet censura paraprake e mjeteve të komunikimit. Kushtetuta e njeh mundësinë e kufizimit të këtyre të drejtave me ligj, por vetëm nëse kufizimet janë në interes publik dhe proporcionale, në linjë me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, të cilën Shqipëria e ka miratuar në vitin 1996. Përveç parashikimeve kushtetuese, liria e medias në Shqipëri garantohet edhe nga ligjet për shtypin e shkruar dhe median audiovizive . Sipas ligjit nr. 7756, të vitit 1993 “Për shtypin”, i ndryshuar, i cili ka një nen të vetëm, shtypi është i lirë dhe liria e tij mbrohet me ligj. Në mënyrë të ngjashme edhe ligji nr.97/2013 “Për mediat audiovizive” përcakton nëparimet e tij themelore garantimin e lirisë së shprehjes.

Vetrregullimi i jashtëm i medias në Shqipëri bazohet në Kodin e Etikës së Gazetarit, i përgatitur nga një grup ekspërtësh dhe akademikësh me mbështetjen e Institutit Shqiptar të Medias. Në praktikë zbatimi i këtij kodi është promovuar nga një numër instrumentesh vetrregulluese, përfshirë Këshillin Shqiptar të Medias dhe Aleancën për Media Etike. Përveç, instrumenteve të jashtëm që promovojnë zbatimin e Kodit të Etikës, disa medie, përfshirë RTSH dhe BIRN, kanë edhe standarde editoriale të brendshme që udhëheqin punën e përditshme të gazetarëve dhe redaktorëve.    

Standardet editoriale në media ndahen në këto kategori: saktësia, kontrolli i fakteve, balancimi editorial dhe paanshmëria, ndershmëria, e drejta e përgjigjes, ruajtja e të dhënave, ankesat dhe korrigjimet, temat e ndjeshme, katastrofat/ ngjarjet tragjike, intervistimi i fëmijëve, përdorimi i fotografive dhe mbrojtja e burimeve.

Saktësia

Gazetarëve u kërkohet që të jenë transparentë në lidhje me burimet e informacionit, duke përfshirë në shkrimet e tyre vetëm ekspertë të mirëfilltë dhe duke i prezantuar në mënyrë korrekte dokumentet. Kredencialet e të intervistuarve, si profesioni, autorësia në raporte përkatëse dhe vendi i punës duhet të citohen qartësisht në të gjithë artikujt, në mënyrë që audienca/lexuesi të ketë mundësinë të gjykojë vetë për nivelin e tyre të ekspertizës.

Kontrolli i fakteve

Të gjithë investigimet, të cilat përfshijnë individë apo organizata të njohura ose me gjasë, të prirura për padi gjyqësore, duhet të kontrollohen nga një jurist ose nga redaktorë përgjegjës me eksperiencë dhe njohuri mbi ligjin e medias, të cilët marrin përsipër kontrollin tërsor të fakteve. Gazetarët/redaktorët që nuk janë përfshirë në raportimin/shkrimin e investigimit duhet të kryejnë kontrollin e fakteve. Gazetarët pritet të ruajnë dokumentet, e-mailet, përgjigjet, shënimet, regjistrimet etj., në një dosje, në mënyrë që të mbështesin pretendimet dhe përmbajtjen e artikullit.

Balancimi editorial dhe paanshmëria

Gazetarët duhet të sigurohen që të mbulojnë të gjitha këndvështrimet e një lajmi dhe të pasqyrojnë në mënyrë të arsyeshme një numër mendimesh dhe pikëpamjesh nga ekspertë/palë të përfshira – duke i dhënë peshën e caktuar pikëpamjeve të kundërta. Paanshmëria është çelësi i reputacionit të një medie të besueshme dhe balancimi i duhur është një kërkesë e rëndësishme, pavarësisht opinioneve të redaktorit/gazetarit, të cilat nuk duhet të shprehen në mbulimin e lajmeve. Nëse të intervistuarit apo kontribuuesit janë të lidhur me parti ose pikëpamje të veçanta politike, kjo duhet të bëhet e qartë në të gjitha materialet e publikuara/transmetuara. Gazetarëve u kërkohet ndonjëherë të shkruajnë komente, skica politike dhe recensione, por ata duhet ta kufizojnë shprehjen e opinioneve në formatin e një vëzhguesi ekspert dhe duhet të sigurohen që të mos shkruajnë apo publikojnë opinione, të cilat mund të kompromentojnë perceptimin mbi integritetin e tyre si gazetarë

Ndershmëria

Gazetarët duhet t’i prezantojnë të intervistuarit, kontribuuesit dhe ekspertët në mënyrë të saktë dhe jo t’i përshkruajnë ata thjesht si ekspertë të një fushe të caktuar, por të sigurohen në dhënien e saktë të titullit dhe të vendit të punës. Gazetarët duhet të paraqesin në mënyrë të saktë se çfarë thanë ekspertët saktësisht në lidhje me secilën çështje dhe linjë të pyetjeve. Gazetarët nuk duhet t’i nxjerrin citimet nga konteksti. Citimet duhet të përdoren gjithmonë në mënyrë të drejtë dhe të ndershme brenda kontekstit të intervistës.

E drejta për tu përgjigjur

Të gjithë kontribuuesit duhet të informohen plotësisht mbi mënyrën se si materialet e tyre, fotot, raportet, statistikat, citimet do të përdoren, ndërsa gazetarët duhet ta bëjnë të qartë nëse ato do të shërbejnë për një lajm, analizë, reportazh apo investigim, si dhe të shpjegojnë temën e artikullit. Gazetarët duhet t’u sigurojnë individëve, organizatave apo kompanive të përmendura në artikull/kronikë mundësinë për t’iu përgjigjur kritikave apo akuzave, duke përfshirë rastet kur kritikat nuk lidhen në mënyrë specifike me veprime të paligjshme. Personave ose entiteteve të akuzuar u duhet dhënë informacion i mjaftueshëm mbi çështjet/pretendimet, në mënyrë që të jenë të aftë të japin përgjigje të informuara.

Ankesat dhe korrigjimet

Çdo publikim duhet të përfshijë një faqe për ‘Ankesat dhe Korrigjimet’, ku do të publikohen ankesat kryesore të ardhura në redaksi dhe në rastet kur ka, korrigjimet e bëra në artikuj të publikuar. 

Temat e ndjeshme

Një media duhet të jetë e përkushtuar të prodhojë investigime të thelluara, duke mbrojtur interesin publik si dhe të mbajë autorët e keqbërjeve dhe pushtetarët përgjegjës.

Gazetari nuk duhet shmangë raportimin mbi temat të ndjeshme apo të kontestuara, por duhet ta bëjë këtë me respekt dhe ndjeshmërinë e përshtatshme.  Gjuha e përdorur apo e promovuar nga gazetarët duhet të jetë e respektueshme dhe gjithëpërfshirëse në aspektin e diversitetit: gjinor, të orientimit seksual, të racës, paaftësisë, fesë/besimit etj.

Mbulimi i katastrofave dhe ngjarjeve tragjike

Publiku pret që gazetarët të raportojnë mbi katastrofat dhe ngjarjet tragjike – si luftërat, fatkeqësitë natyrore, sulmet me armë dhe aksidentet, me ndjeshmërinë dhe tonin e duhur, pa u përfshirë shumë në emocionet e momentit dhe pa e tharë realitetin e ngjarjes në raportim.  Në ngjarje tragjike/katastrofa natyrore numri i viktimave dhe të lënduarve, si dhe emrat e tyre, verifikohen dhe u atribuohen burimeve zyrtare të tilla si: policia apo ekipet e shpëtimit, autoritetet qeveritare apo burime të tjera të besueshme. Termi “terrorizëm” nuk duhet të përdoret pa ia atribuuar atë një burimi autoritar dhe mos supozoni se një ngjarje tragjike është një akt terrorist, derisa kjo të mund të verifikohet. Me mbulimin e përvjetorëve, gazetarët dhe redaktorët duhet të marrin në konsideratë ndikimin mbi të mbijetuarit dhe të afërmit e viktimave, teksa planifikojnë përmbajtjen e lajmeve.

Intervistimi i fëmijëve

Është rrallë herë e pranueshme për gazetarët që të intervistojnë fëmijët që u kanë mbijetuar ngjarjeve tragjike-duke përfshirë luftërat/konfliktet, sulmet fizike apo seksuale.  Në vend të tyre, gazetarët duhet të kontaktojnë profesionistët që punojnë me fëmijët, si psikologë, grupe të ndihmës/mbështetjes dhe organizata jofitimprurëse me reputacion.

Fotografitë

Përdorimi i fotografive që padrejtësisht i lidhin njerëzit me veprimtari kriminale apo moralisht të dyshimta është një burim ankesash dhe i padive për kompensim financiar ndaj medias. Fotografitë që shfaqin fëmijë janë gjithashtu shumë të kontestuara dhe kërkohet miratimi i publikimit të tyre nga prindërit apo kujdestarët e fëmijëve. Gazetarët janë përgjegjës për të atribuuar burimin e fotografive.

Burimet

Gazetari nuk paguan për intervistat, por mbulon me raste shpenzime të arsyeshme udhëtimi dhe strehimi për kontribuuesit dhe burimet e tij të informacionit. Gazetarët duhet të ndërtojnë marrëdhënie profesionale me një rrjet të gjerë me ekspertë, të cilët mund të japin komente mbi lajme dhe ngjarje. Gazetarët duhet të kontrollojnë kredencialet e kontribuuesve për tu siguruar që ata nuk do të mashtrohen, si dhe në mënyrë që çdo përkatësi politike apo interesa të tjera të shënohen në çdo material të publikuar ose të transmetuar.Të gjithë kontributet e ekspertëve duhet të paraqiten me saktësi dhe të përfshihen mbi bazën e ofrimit të njohurive të reja dhe të dobishme.

Kërkesat për koment

Gazetarët duhet të bëjnë përpjekje të sinqerta dhe të ndershme për të marrë përgjigje nga subjektet e kritikave apo akuzave specifike të një artikulli. Kjo nënkupton që gazetarët duhet gjithmonë të përfshijnë informacion në shkrim nëse individët ose organizatat/kompanitë “refuzojnë të komentojnë” ose “nuk u përgjigjën”. Kur publikoni një përgjigje specifike mbi një kritikë apo akuzë specifike, është e preferueshme të emërtohet personi që e jep përgjigjen, si dhe fakti nëse ai po flet në emër të tij apo të organizatës/kompanisë.

Burime informacioni

error: Kujdes! Ky material mbrohet nga Copyright.